Kompania ENI hyn në Shqipëri? – Rama deklaroi se një kompani italiane ka interes për kërkimin e naftës
Pak ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se një kompani italiane në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit pritet të hyjë në tregun shqiptar, TV SCAN ka mësuar se kjo kompani mund të jetë ENI.
Burime jozyrtare pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thanë se kjo kompani ka shfaqur interes, ndonëse nuk konfirmuan nëse është e njëjta me atë që përmendi kryeministri.
Kompania ENI është e njohur për eksplorimet e kryera në Itali, ndërkohë që sipas faqes zyrtare të saj, që prej fillimit të operimit të saj, kryen aktivitete të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit në 43 vende, ndërsa paralelisht operon edhe në fushën e tregtimit të karburanteve dhe energjisë elektrike.
Aktualisht, ENI është prezent në 67 vende dhe numëron mbi 31 mijë punonjës në të gjithë botën. Aktualisht, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka ndërmarrë një fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkimit të naftës, teksa ka ofruar për eksplorim bllokun C, bllokun Panaja dhe bllokun Dumrea.
Ndërkohë që, kompanitë e interesuara do të kenë afat deri në datën 19 dhjetor për të dorëzuar ofertat e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.