Kompania kaliforniane që përdor akull për të ftohur ndërtesat siguron 40 mln USD financime
Ice Energy, një ndërmarrje e bazuar nga Kalifornia që përdor copëza akulli për të ftohur ndërtesat, ka siguruar një financim prej 40 milionë dollarësh amerikanë nga grupi i investimit të kapitalit, Argo Infrastructure Partners LLC.
Kompania përdor sisteme në madhësinë e frigoriferëve, të cilat ngrijnë ujin natën kur çmimi i energjisë është më i ulët dhe e përdorin atë gjatë ditës për të mbajtur ndërtesat e ftohta, kur edhe çmimet janë më të larta. Në këtë mënyrë sistemi funksionon si një “bateri” moderne për ruajtjen e energjisë.
Pajisjet instalohen në çatitë e ndërtesave me funksione biznesi dhe lidhen me sistemet e ajrit të kondicionuar. Kur aktivizohen, ato mund të shkurtojnë ndjeshëm me 40% faturën e energjisë elektrike, si dhe të reduktojnë emetimet e karbonit.
Financimi i përfituar do të shkojë për të paguar për projektet e rëndësishme, si dhe për instalimin e sistemeve në SHBA, Europë, Lindjen e Mesme, Australi dhe Japoni. Ky është një hap i rëndësishëm për kompaninë e themeluar në vitin 2003, për të shkuar përtej 1 mijë njësive të instaluara aktualisht.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.