Kompania shfrytëzuese e “Velçës”: Procesi zgjedhor ka frustruar disa nga aksionerët – Pennine shfrytëzon kohën për detajet logjistike
Kompania kanadeze “Pennine Petroleum Corporation” e cila ka marrë në shfrytëzim bllokun Velça për një periudhë 6-vjeçare, njofton se është në pritje të lejes nga qeveria shqiptare për të marrë të dhënat gjeoteknike.
“Qeveria po punon për fazat finale rregullatorë për marrëveshjen tonë të ndarjes së prodhimit për bllokun Velça. Ndërkohë ne kemi qenë në terren në Shqipëri duke u marrë me detaje që do të mbajnë procesin në vijimësi”, u shpreh në një njoftim zyrtar, Desmond Smith, CEO i kompanisë.
Sipas tij, ky proces që ka nisur me firmën në muajin Shkurt është me vonesë, çka ka shkaktuar pakënaqësi mes aksionerëve.
“Ne kuptojmë se fushata zgjedhore shqiptare, vota e qershorit dhe caktimi i ministrave të qeverisë, një proces që praktikisht zgjati nga Prilli deri në fund të Shtatorit, ka frustruar disa nga aksionerët tanë. Por duhet të ecësh përpara se të vraposh, ndaj ne po vendosemi këtu për një marrëdhënie produktive dhe frytdhënëse, nga e cila do të përfitojnë si populli shqiptar, ashtu edhe aksionerët e Pennine”, tha Smith.
Kompania i ka shfrytëzuar këto gjashtë muaj për t’u lidhur me rafineritë në afërsi të zonave potenciale të prodhimit e me një sërë institucionesh audituese e financiare. Në muajin Maj kanadezët publikuan edhe raportin e vlerësimit teknik, sipas së cilit nga blloku i Velçës mund të dalin 26.4 milionë fuçi naftë.
Kompania do të operojë në këtë blloku në dy faza: atë të eksplorimit dhe atë të shpimit. Faza e eksplorimit pritet të zgjasë 2 vite, dhe ajo e shpimit 4 vitet e mbetura, me shpresën se gjetja e një ose më shumë vendburimeve të naftës, do t’i mundësojë kompanisë të shtyjë kontratën e shfrytëzimit me 25 vite.
Në fazën e dytë, kontrata përfshin një ndarje të fitimeve neto 42.5% me 57.5% në favor të qeverisë shqiptare.
A.H./SCAN
Mali i Zi gjen rezerva gazi në detin Adriatik – Dy blloqet pranë kufirit me Shqipërinë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.