Kompanisë së njohur ajrore i pezullohet licenca, Autoriteti i Aviacionit Civil apel pasagjerëve shqiptarë: Konfirmoni biletat!
Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar njofton se është informuar nga institucioni homolog në Itali ENAC se ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”.
“Pezullimi do të hyjë në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anullimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.
Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë” shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Referuar njoftimit, gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.
Nga ana e tij, Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar informon se ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.
AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.