Kompanitë eksportuese ruse stabilizojnë rublën – Valutën e grumbulluar jashtë vendit po e shesin në tregun e brendshëm!
Banka Qendrore e Rusisë, e cila ka humbur aksesin në thuajse gjysmën e aseteve të saj në ar dhe në monedhë të huaj për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, ka akumuluar monedha të huaja në “cash”, deklaroi zëvëndës guvernatorja e Bankës Qendrore e Rusisë, Ksenia Yudayeva. Sanksionet ndërkombëtare kanë “ngrirë” rreth 300 miliardë dollarë nga 640 miliardë dollarë rezerva që Rusia ka në ar dhe në monedha të huaja. Vendimi u morr pas fillimit të luftës me Ukrainën në 24 shkurt.
Megjithatë, Yudayeva nuk e bëri publike sasinë e parave që banka qendrore ruse ka në dispozicion. Rezervat e Rusisë në ar dhe në valutë kanë rënë ndjeshëm, në rreth 604 miliardë dollarë deri në 25 mars, nga një rekord prej 643.2 miliardë dollarë që ishin në 28 shkurt. Banka qendrore e arsyetoi rënien e rezervave me ndërhyrjet afatshkurtra në tregun e këmbimit valutor dhe në operacionet e rifinancimit.
Gjithashtu, Yudayeva u shpreh se sanksionet ndaj Rusisë do të kenë një impakt negativ për të gjithë ekonominë globale, duke shtuar se ndalimi i operacioneve të bankës qendrore dhe të qeverisë ruse ishte i paprecedentë. Për të parandaluar problemet e mëdha me zhvlerësimin e rublës pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Banka Qendrore e Rusisë vendosi kontroll mbi këmbimin valutor për të mbështetur likuiditetin.
Rubla ruse e mbylli javën në rreth 80 përballë dollarit amerikan, ndërsa një mbështetje e ka marrë nga kompanitë e fokusuara drejt eksportit, të cilat janë të detyruara të shesin në tregun e brendshëm valutor, rreth 80% të të ardhurave të tyre në valutë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.