Komunat në Veri të Kosovës u kushtojnë vetes fonde dhe vendit investime
Krerët e katër komunave në veri të Kosovës mbahen përgjegjës për një dëm të vazhdueshëm në arkat e buxhetit të shtetit.
Falë refuzimit të tyre për të zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës, “qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj”, raporton Kallxo.com.
Bëhet fjalë për komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, të cilët nuk i njohin ligjet për tatimin në pronë dhe atë për lejet e ndërtimit.
Mosvjelja e taksave në këtë rast ka reduktuar ndjeshëm të ardhurat e komunave, të cilat së bashku kanë mbledhur vetëm 55 mijë e 550 euro, nga ku Mitrovica e Veriut 44,055 euro, Zubin Potok vetëm 2,495 euro, Leposaviq 2,078 euro dhe Komuna e Zveçanit vetëm 1,972 euro.
Sakaq, Zyra Kombëtare e Audimit ka zbuluar edhe se për të ardhurat e arkëtuara në para në dorë, komunat nuk i depozitojnë rregullisht në llogari bankare dhe mbajnë shënime me dorë për to.
Mosrespektimi i ligjeve nga këto komuna ka sjellë edhe dëme për komunitetin, në investime të munguara për të cilat ato janë bërë pengesë.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka thënë se dështimi i dy projekteve për të cilat BE-ja do të financonte 7.8 milionë euro nuk kanë lidhje me revitalizimin e urës, por me dështimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, për t’i larguar 8 objekte të ndërtuara pa leje në afërsi të hapësirës ku do të ndërtoheshin ndërtesa e Universitetit Verior dhe Qendra e Kulturës, shkruan sot Gazeta “Zëri“.
Sipas saj, bisedimet ke kryetarin e komunës kanë zgjatur 8 muaj, por nuk është bërë asgjë, duke sjellë vetëm skadimin e afatit për realizimin e investimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.