Komunikimi Javor – Rama: Objektivi ynë parësor çelja e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE
Gjatë Komunikimit Javor në Facebook, ku Kryeministri Edi Rama ishte në takim me kabinetin qeveritar foli për një sërë çështjesh. Ai e nisi fjalimin e tij me rëndësinë e punës në grup, motivimin e njerëzve të talentuar dhe lidershipin.
“Asnjëherë më parë qeveria e Shqipërisë nuk ka patur në drejtim të dikastere qendrore, skuadra si këto që krijuam ku shkuam përtej kufijve të vjetër politik dhe partiak për të zgjedhur pjesëtarët e duhur të çdo skuadre edhe në frymën e mandatit kuq e zi që kemi marrë “, tha Rama
“Asnjëherë më parë nuk kanë patur në tavolinën e vendimmarrjes së tyre një rreth njerëzish si ekipet që do jenë nga sot e tutje për vitet me radhë “.
“Kemi për ta hulumtuar tërësisht këtë mekanizëm të ri dhe duhet të ulemi për të diskutuar dhe vendosur detyrat konkrete të çdo ministri, zëvendës ministri. Përcaktimi i detyrave konkrete për çdo rol. Por mos harroni ndarja e detyrave ka rëndësi të posaçme për të mbuluar krejt fushën e përgjegjësisë, dhe kjo në themel ka frymën e skuadrës“, tha Rama.
“Tradita është kundër delegimit real të përgjegjësive tek ministrat. Prandaj bëni të pamundurën që vizioni juaj të udhëheqë skuadrën tuaj. Në çdo hap duhet të na udhëheq parimi. Objektivi ynë parësor, dhe që duhet të marrë mbështetjen e të gjithë ministrave është çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, shtoi ai.
“Administrata jonë ka probleme të vogla por ka plot njerëz të mirë të talentuar të dëshiruar për punë. Ata sot duhen identifikuar, motivuar, trajtuar me respekt në vazhdim pasi janë kyç i padiskutueshëm për suksesin tonë. Të çelim negociatat për anëtarësim vitin e ardhshëm dhe marrjen e sinjalit të qartë pozitiv nga bashkimi europian këto 100 ditët e para dhe të jemi gati për negociatat që janë një proces tejet i ndërlikuar“, u shpreh Kryeministri.
Ndër të tjera Kryeministri foli edhe për luftën kundër krimit, shfarosjen e kanabisit si dhe për të gjitha reformat që priten të kryhen në arsim këto katër vitet e ardhshme.
V.Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.