Koncesioni i Porto Romanos – Koka: Shtesa e kontratës së portit rrezikon Durrësin. Bare: Të studiohet
Ndryshimet në kontratën koncesionare për ndërtimin e portit të Porto Romanos mund të dëmtojnë hidrovorin, duke rrezikuar gjithë qytetin e Durrësit. Shqetësimi është ngritur nga deputeti i LSI, Lefter Koka gjatë diskutimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të projektligjit që parashikon ndryshime në kontratën e firmosur në vitin 2015.
“Është një zonë me shumë rrezik për qytetin e Durrësit, çka do të thotë kërkon nga ana e institucioneve përkatëse të rrisin kontrollin, gatishmërinë dhe jo thjesht dhe vetëm të jenë në rregull me dokumentacionin. Nëse do të ketë një katastrofë në cisternat e gazit që janë në qytetin e Durrësit, Durrësi është eliminuar në 70% të tij. Dhe kur thashë se ky porti na qenkësh me bovë, është shumë më i madh nga i madhi që është 1100 metra barrierë. Pra, ka sipërfaqe akoma më të madhe. Të rrisim pak vigjilencën, të mos ndodhë gjëja dhe të kërkojmë fajtorin, sepse është një zonë e cila ka shumë rrezikshmëri.”
Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare ka kërkuar që të bashkëpunohet me institucionet sepse mund të krijohen probleme serioze për ekosistemet.
“Ndoshta në kontratën që është bërë nuk është parashikuar monitorimi për shkak të ndjeshmërisë shumë të vogël që kanë përgjithësisht autoritetet shqiptare në vite për këtë problematikë. Por unë e quaj të rëndë ndërhyrjen në atë sistem dhe mos marrjen përsipër dhe biles publikimin e të dhënave edhe për komunitetin por dhe për institucionet përkatëse. Unë do thosha që në këto raste do ishte mirë që rekomandohet nga ju që të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse sepse ka individë apo katedra të cilat I njohin këto problem.”
Shtesa e kontratës koncesionare parashikon një rritje të vlerës së investimit me 4.5 milion dollarë, kosto e cila do të paguhet nga investitori, pa ndryshuar afatet e pagesës. Ndërkohë, komisioni vendosi të kryejë edhe një vizitë në terren, për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.