Konferenca e Internetit në Kinë, Xi Jinping: Sovraniteti kibernetik, thelbësor në zhvillimin e internetit
Presidenti kinez Xi Jinping tha se vendi i tij nuk do t’i mbyll derën internetit global, por shtoi se sovraniteti kibernetik është thelbësor në vizionin e tij të zhvillimit të internetit.
“Zhvillimi i hapësirës kibernetike të Kinës po hyn në fazën përfundimtare. Kina do të bëhet gjithnjë e më e hapur”, tha Xi Jinping.
Sovraniteti kibernetik nënkupton aftësinë e shtetit për të manaxhuar dhe përmbajtur internetin brenda një vendi pa ndërhyrje të jashtme. Partia komuniste e Kinës ka ashpërsuar rregulloret kibernetike.
Në muajin Korrik, Kina paraqiti një ligj të ri kombëtar mbi sigurinë kibernetike që i kërkon firmave të huaja të ruajnë të dhënat vetëm brenda vendit dhe të nënshtrohen ndaj masave të mbikëqyrjes së të dhënave.
Sipas rregullatorëve kibernetikë, ligjet në Kinë janë në linjë me rregullat ndërkombëtare dhe janë projektuar për të mbrojtur privatësinë personale dhe sulmet në infrastrukturë.
Grupet e biznesit janë ankuar se rregullat janë të padrejta kundrejt firmave të huaja. Në Konferencën Botërore të Internetit në Kinë, ishin të ftuar ekzekutiv të firmave të huaja, përfshirë Apple, Google dhe Facebook.
Këto dy të fundit janë të ndaluara në Kinë, së bashku me Twitter dhe portale të tjera mediatike perëndimore.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.