Konfindustria: Mbështesim sistemin e faturimit elektronik, por afati i vendosur është i pamjaftueshëm
Konfindustria deklaron se mbështet parimisht nismën ligjore të ekzekutivit për vendosjen e sistemit të faturimit elektronik për bizneset, por vlerëson, se afati i fillimit të zbatimit të tij të parashikuar në 1 janar të vitit 2020 është i pamjaftueshëm për të garantuar sukses.
“Përvojat e krahasueshme e të gjithë vendeve demokratike të zhvilluara për akte ligjore edhe mjaft më pak të rëndësishme për nga shkalla e ndikimit, sesa nisma në fjalë ka në ekonominë kombëtare dhe biznesin tregojnë, se hyrja në fuqi e ligjit nuk mund të jetë më pak sesa 1 vit afat kohor nga miratimi. Në rast të kundërt, përveç vënies në dyshim të suksesit të shpresuar, nisma ligjore prek drejtpërdrejt seriozitetin e shtetit shqiptar para investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare në afatgjatë” shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat .
Po ashtu, Konfindustria vlerëson, se projekt ligji përkatës i miratuar së fundmi në Këshillin e Ministrave, për veçoritë dhe ndikimin e ndjeshëm, që do të sjellë në jetën ekonomike të vendit, buxhetin e shtetit dhe aktivitetin e bizneseve, duhet të shoqërohet detyrimisht me të gjitha aktet nënligjore të nevojshme të zbatimit në praktikë, që sot mungojnë pothuaj krejtësisht.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.