Konfirmohet recesioni italian – Inventarët, shkaku kryesor. Perspektiva qëndron e dobët
Ekonomia italiane u tkurr me 0.1% në tremujorin e katërt, për shkak të rënies së madhe të inventarëve, sipas agjencisë së statistikave ISTAT.
Megjithatë, me bazë vjetore, rritja ekonomike në tremujorin e katërt u rishikua në rënie, në 0%, nga 0.1% rritje që u vlerësua më parë. Performanca ndoqi një rënie me 0.1% në tremujorin e tretë, duke konfirmuar recesionin teknik në Itali, që përcaktohet si dy tremujorë radhazi të rënies së Produktit të Brendshëm Bruto. Treguesi mujor kanë qëndruar të dobët në nisje të vitit dhe nuk pritet ndonjë rimëkëmbje në të ardhmen e afërt.
Duke parë komponentët e Produktit të Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt, perspektiva nuk rezultoi aq keq sa pritej, pasi rënia erdhi kryesisht nga tkurrja e inventarëve dhe komponentët e tjerë të brendshëm e të jashtëm treguan rritje. Konsumi u rrit me 0.1%, shpenzimet qeveritare ranë me 0.1%, investimet u rritën me 0.3% ndërsa tregtia neto ishte pozitive.
Koalicioni i lëvizjes 5-yjet dhe partisë së djathtë Liga, që mori detyrën në Qershor të vitit të kaluar, projekton një rritje ekonomike me 1% për 2019-ën. Megjithatë, shumica e analistëve presin që rritja të jetë sa gjysma e shifrës së dhënë nga Qeveria. Performanca për të gjithë 2018-n, e llogaritur sipas standardeve të BE, rezultoi në një rritje prej 0.9%, sipas ISTAT.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.