Konfirmohet Von der Leyen! E voton parlamenti europian dhe do të nisë detyrën më 1 Dhjetor
Deputetët e Bashkimit Europian i dhanë miratimin përfundimtar konservatores gjermane Ursula von der Leyen këtë javë, për të marrë postin në krye të Komisionit Europian nga data 1 Dhjetor. Votimi në parlamentin në Strasbourg rezultoi në 461 pro, 157 kundër dhe 89 abstenime. Von der Leyen i duhej një mazhorancë e thjeshtë për të siguruar konfirmimin si presidente e komisionit.
Gjatë një fjalimi në seancën plenare në Strasbourg përpara votimit, von der Leyen theksoi nevojën për reforma gjithëpërfshirëse në Bashkimin Europian si dhe për të luftuar ndryshimin klimatik. Von der Leyen do të jetë gruaja e parë që do mbajë postin kryesor të punës në institucionet e Bashkimit Europian. Ish-ministrja e mbrojtjes në Gjermani, që do të pasojë Jean Claude Juncker, do të përballet me sfida përfshirë reforma ekonomike, emigrimi dhe ndryshimi klimatik. Krahu ekzekutiv zakonisht përbëhet nga një komisioner nga çdo shtet anëtar i Bashkimit Europian, por Britania, që pritet të dalë së shpejti nga blloku, ka refuzuar të caktojë një përfaqësues.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.