Konflikti te “Petro Nini”, reagimet – Rama: Qeveria s’ka fuqi mbi gjykatat, Veliaj: Bashkia, jo e përfshirë. Gati për mbështetje me banesa sociale
Tre familje pranë shkollës “Petro Nini” janë përplasur ditën e sotme me punonjësit e Përmbarimit për më shumë se pesë orë pasi këta të fundit po tentonin t’i nxirrnin jashtë duke zbatuar një vendim të gjykatës së prerë për shembjen e banesave të tyre. Pamjet filmike të transmetuara kanë ngjallur reagime të shumta, ku nuk kanë munguar as kritikat për sjelljen e forcave të rendit.
Pas konfliktit të krijuar dhe më pas tërheqjes së tyre, të paktën për ditën e sotme, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit, Edi Rama. Sipas këtij të fundit qeveria nuk ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave, ndërsa ka shtuar më tej se policia e ka detyrim ligjor që t’i përgjigjet Përmbarimit.
Ndërkohë, mbi këtë situatë ka reaguar po ashtu edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ku ka ‘dënuar’ sjelljen e Policisë së Shtetit.
“Mirëkuptim të plotë për reagimet ndaj pranisë së Policisë Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë. PSH ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka edhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase. Kjo s’ka ndodhur në këtë rast!”, shkruan Lleshaj.
Ndërsa, një tjetër reagim ka ardhur edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndërsa është shprehur se konflikti është trajtuar në gjykatë, ka shtuar se bashkia është gati t’u ofrojë banesa sociale familjeve të prekura nga ky konflikt.
“Bashkia Tiranë nuk ASNJË përfshirje të PNL, as ka PDV apo leje ndërtimi! Konflikti i pronareve te tokës me banoret e një ndërtesë me shtesa pa leje është trajtuar ne GJYKATE! Ata qe e politizojnë na kujtojnë prej kujt i kemi peshqesh këto gjykata e këto plage me pronat. 1/2 E megjithatë @Bashkia Tiranë është gati qe SOT t’i ofroje mbështetje me BANESA SOCIALE ne kushte shume me te mira se katet pa leje te gjithë familjeve te prekura nga ky konflikt mes DY PRIVATEVE për pronat, kontratat e llogarite e tyre, pavarësisht vendimit te gjykatës! EV”, shprehet Veliaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.