Konkurrenca mes bankave – Forcon stabilitetin e sistemit bankar
Rritja e konkurrencës forcon stabilitetin e sistemit bankar. Një studim i kryer nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë dhe i prezantuar të premten ka treguar një lidhje të drejtë mes treguesve që masin konkurrencën në sistem dhe stabilitetin e tij.
Studimi i përgatitur nga eksperti i departamentit të kërkimeve, Gerti Shijaku, synonte të evidentonte sjelljen e sistemit bankar gjatë periudhës 2008-2015, që përkoi me krizën financiare globale.
“Rezultatet tona japin një dëshmi mbështetëse që sugjerojnë që rritja e konkurrueshmërisë është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e bankës. Në njëfarë mënyre, këto tregues, ky lloj rezultati është konfirmuar dhe nga studimet e mëparshme, por edhe nga testet që ne kemi zhvilluar për forcimin e rezultateve. Dukshëm, vumë re që konkurrueshmëria është një faktor i rëndësishëm për të nxitur më tej stabilitetin bankar, sikurse ne vumë re që lidhja midis stabilitetit dhe konkurrueshmërisë është lineare”, u shpreh Shijaku.
Në Shqipëri veprojnë aktualisht 16 banka tregtare, por ky numër pritet të ulet në të ardhmen e afërt, pasi të jetë finalizuar përthithja e Veneto Banka nga Intesa Sanpaolo, si edhe shitja e NBG Bank te njëra nga bankat konkurrente në sistem.
Megjithatë, ulja e numrit të bankave nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht konkurrencë më të ulët. Niveli i përqendrimit të një tregu përcaktohet kryesisht nga pjesa që zënë ndërmarrjet më të mëdha.
Në tregun bankar shqiptar, pjesa e tre bankave më të mëdha në mesin e këtij viti ishte 57.4%, ndërsa para krizës në vitin 2008, ishte 58.3%. Ndërsa indeksi Herfindahl, që mat nivelin e përqendrimit të tregut, ka ngelur në rreth 0.15, që është pragu i sipërm kur në teori një treg konsiderohet mjaftueshëm konkurrues.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.