Konservatorët “rebelohen” ndaj Johnson – Votojnë kundër masave anti-Covid duke shprehur inatin ndaj kryeministrit
Thuajse 100 ligjvënës konservatorë në Britani kanë votuar këtë javë kundër disa masave të reja të koronavirusit, duke goditur në mënyrë turpëruese kryeministrin Boris Johnson mbi masat që sipas tij janë të nevojshme për të frenuar përhapjen e Omicron. Pas një dite të lobimit të dështuar, Johnson u përball me rebelimimn më të madh ndonjëherë kundër qeverisë së tij nga vetë partia konservatore, mbi masat që detyronin njerëzit të vendosnin maska në ambiente publike dhe përdorin pasaportën e Covid për disa aktivitete.
Masat kaluan kryesisht falë opozitës, partisë Laburiste. Megjithatë, revolta ushtron presion tek Johnson, që ndodhet përballë kritikave për skandale si festat e raportuara në zyrën e tij në Doëning Street në vitin e kaluar, kur Birtania ndodhej në një karantinë të Covid-19. Shumë prej politikëbërësve thanë se disa masa janë tejet të ashpra, me disa që vinin në pikëpyetje prezantimin e një certifikate të vaksinimit apo testit negativ të Covid për të hyrë në disa ambiente, si klubet e natës.
Pasi votat u numëruan, 98 konservatorë kishin kundërshtuar kalimin, një numër shumë më i madh i rebelëve se ç’pritej. Të tjerë e përdorën votën si një mundësi për të shprehur inatin ndaj Johnson, pasi mendojnë se personi që ndihmoi konservatorët të fitojnë një shumicë të bindshme në zgjedhjet e vitit 2019, po keqpërdor suksesin e partisë me gabime dha gafa të vetat. Megjithatë, pavarësisht pakënaqësive, burime nga partia thonë se nuk ka mjaftueshëm arsye kundër Johnson për ta larguar, por shpresojnë se vota do të shërbejë si një thirrje për kryeministrin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.