Konsolidimi fiskal – Synohet ulje e deficitit buxhetor gjatë 3 viteve të ardhshëm
Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik konsiderohen thelbësore për uljen e risqeve, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike.
Kështu politika fiskale për periudhën afatmesme 2019-2021 do të jetë e orientuar qartësisht drejt konsolidimit fiskal ndërkohë që siguron një nivel optimal investimesh prej mesatarisht rreth 5 për qind të PBB.
Kjo është ajo që theksohet në dokumentin e Kuadrit Makroekonomik e Fiskal 2019-2021të miratuar tashmë nga qeveria. Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.7 për qind të PBB-së për 2019, nga 2.0 për qind i programuar për vitin 2018; nivel prej 1.2 për qind të PBB në 2020; dhe 0.5 për qind në vitin 2021.
Gjithashtu qeveria parashikon në vijimësi një balancë primare pozitive dhe në rritje për vitet 2019-2021, respektivisht 1 për qind në 2019 nga 0.6 për qind i targetuar në buxhetin 2018; 1.5 për qind në 2020; dhe 2.2 për qind në vitin 2021.
Po sipas këtij dokumenti, edhe balanca korente, pra diferenca midis investimeve publike dhe deficitit (huamarrjes) vjetore, shihet në nivele të larta dhe në rritje graduale përgjatë horizontit afatmesëm.
Respektivisht balanca korente në vitin 2019 parashikohet në nivelin 3.3 për qind të PBB, po aq sa edhe në vitin 2018; më tej targetohet në rritje në nivelin 3.7 për qind në vitin 2020 dhe 4.3 për qind në vitin 2021.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.