Konsultimi publik për Paketën Fiskale 2019 – Ahmetaj ftesë sipërmarrjes për propozime dhe ide
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u është drejtuar sot me sipërmarrësve me një letër të hapur, duke i ftuar ata të japin mendimet dhe propozimet e tyre për paketën Fiskale 2019.
Kjo e fundit do të shoqërojë ligjin e Buxhetit të Shtetit 2019, krahas ndryshimeve në paketën aktuale, që pritet të kalojnë në qershor 2018, për të cilën Ministria e Financave ka nisur procesin e konsultimit publik për ndryshimet e bëra së fundmi.
Në letrën e tij drejtuar sipërmarrësve, Ahmetaj sjell edhe një herë në vëmendje këto ndryshime, konkretisht ato në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, ligjin për TVSH-në dhe ligjin për Taksat Vendore.
“Ajo që është e rëndësishme dhe që dëshiroj të ndaj sot me ju, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po fillon në të njëjtën kohë konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale 2019. Në këtë kuadër, dëshiroj të përcjell tek ju ftesën e hapur për mendime, propozime dhe ide, në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të procedurave, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi arritur së bashku një Paketë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe zhvillimit ekonomik”, shkruhet ndër të tjera në letrën e ministrit Ahmetaj.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.