Konsumi i energjisë, krahasimi me Europën – Eurostat: Shqipëria vendi i 4-t më pak konsumator
Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë një panoramë të qartë të konsumit të energjisë në vendin tonë. Energjia përfshin çdo burim që çliron energji për përdorim masiv, shtëpiak, industri, bujqësi, transport etj, pra jo vetëm energji elektrike. Kështu, nga këto të dhëna rezulton se në vitin 2018, konsumi fillestar i energjisë në vendin tonë ishte në 2.3 milionë ton ekuivalente naftë. Konsumi fillestar i energjisë është kryesisht kërkesa totale e vendit për energji.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës, kjo normë është e 3-ta më e ulët, vetëm me Malin e Zi dhe Maltën me më pak konsum. Sa i përket konsumit final të energjisë, ku përjashtohet energjia që përdoret edhe nga vetë sektori, konsumi zbret në 2.1 milionë ton ekuivalente naftë. Diferenca veçse përjashton atë që përdoret nga vetë sektori, tregon se ka edhe një hendek mes kërkesës dhe konsumit final të energjisë. Në Shqipëri më shumë se 90% e kërkesës për energji, plotësohet me konsumin final.
Veç Malit të Zi dhe Maltës, listës së vendeve me konsum më të ulët i shtohet edhe Maqedonia e Veriut si dhe Kosova, vend i cili ka një diferencë të ndjeshme mes konsumit fillestar dhe atij final, me 1 milionë ton ekuivalente naftë. Të dhënat që i referohen vitit 2018 tregojnë se krahasuar me vitin paraardhës asnjë prej treguesve nuk ka pësuar ndryshim për vendin tonë. Fakti që Shqipëria është ndër vendet e fundit konsumatore në Europë, bindshëm më pak edhe se vende me një popullsi më të vogël se e jona, është rrjedhojë kryesisht e industrisë dhe zhvillimit të cunguar të saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.