Konsumi në Britani – Paundi i dobët tkurr shpenzimet e ekonomive familjare
Shpenzimet e ekonomive familjare në Mbretërinë e Bashkuar janë ngadalësuar në tremujorin e dytë, duke shënuar normën më të dobët që prej vitit 2014, ndërkohë që efektet e rënies së paundit kanë ulur fuqinë shpenzuese të britanikëve.
Me bazë vjetore, shpenzimet konsumatore u ngadalësuan në 2%, ndërsa për tremujorin, treguan një rritje me vetëm 0.1%.
Zyra e Statistikave deklaroi gjithashtu se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto është konfirmuar në vlerësimin fillestar prej 0.3% për tremujorin, që është niveli më i dobët që prej 2012-ës. Sterlina ka rënë me rreth 15% që prej daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, duke rritur çmimet e konsumit në nivele rekord.
Të dhënat nga Zyra e Statistikave treguan gjithashtu se investimet e bizneseve janë ngadalësuar, ndërsa tregtia neto i hoqi 0.5% normës vjetore të rritjes ekonomike. Ekonomia e Britanisë u rrit me 1.8% në vitin që kaloi, që ishte një nga normat më të forta ndër 7 ekonomitë e zhvilluara më të mëdha të botës.
Rritja në 2016-ën u mbështet nga shpenzimet e forta konsumatore, që janë tërhequr këtë vit. Banka e Anglisë deklaroi më herët gjatë muajit se pret që ekonomia të rritet me 1.6% në 2017-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.