Konsumi në përmirësim – Shitjet me pakicë u rritën me 3.9% në tremujorin III
Konsumi në ekonominë shqiptare dha shenja të mëtejshme përmirësimi në tremujorin e tretë të vitit. Instituti i Statistikave raporton se indeksi i volumit për shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rrit me 3.9% krahasuar të njëjtën periudhë të vitit 2018. Rritja e shitjeve me pakicë është në përmirësim gradual për të tretin tremujor radhazi.
Megjithatë, ndryshe nga tremujorët e mëparshëm, rritja e këtij treguesi është stimuluar ndjeshëm nga shitjet në segmentin e hidrokarbureve. Po të përjashtojmë karburantet, rritja e shitjeve me pakicë ishte 3.4%, rritje kjo më e ulët krahasuar me tremujorin e dytë.
Ndikimin kryesor pozitiv e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet joushqimore, me një rritje vjetore 4.6%, ndërsa shitjet për produktet joushqimore u rritën me vetëm 1.8%. Ndërkohë, segmenti i hidrokarbureve shënoi rritjen më të lartë, me 5% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Megjithëse rritja ekonomike këtë vit është më e ulët, shitjet me pakicë tregojnë një tendencë në përmirësim të konsumit, i mbështetur nga papunësia në ulje, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë bankare.
Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me rreth 80% të kontributit total.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.