Konsumojmë fruta dyfishin e Europës – Prodhimi masiv dhe çmimet e ulëta, ndikim kryesor!
Shqiptarët konsumojnë më shumë fruta krahasuar me Europën apo botën. Referuar studimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe GIZ, qytetarët shqiptarë konsumojnë fruta, rreth 170 kg fruta për frymë në vit, pothuajse sa dyfishi i konsumit në Europë dhe botë. Shifrat janë përpunuar nga FAOSTAT. Sipas dokumentit, pas kalimit në ekonominë e tregut që filloi në fillim të viteve 1990, kërkesa nga konsumatorët shqiptarë për fruta u rrit ndjeshëm.
Si pjesë e liberalizimit të tregtisë dhe ndërthurjes së kapaciteteve të zgjeruara të shitjes me pakicë, prodhimit dhe pas vjeljes/magazinimit, si dhe me rritjen e të ardhurave dhe standardit të jetesës për popullatën shqiptare, konsumi i frutave është trefishuar në krahasim me periudhën para tranzicionit dhe periudhën e hershme të tranzicionit. Në studim thuhet se rritja e kapaciteteve vendore prodhuese dhe magazinuese ka qenë e rëndësishme për të mundësuar rritjen e konsumit, duke i vënë në dispozicion të konsumatorit produkte të freskëta për periudha më të gjata kohore, me kosto më të ulët.
Në dokumentet vihet në dukje se origjina e prodhimit priret të jetë një faktor mjaft i rëndësishëm për shumicën e konsumatorëve shqiptarë. Sipas studimeve të ndryshme, shumica e konsumatorëve i zgjedhin produktet e tyre bazuar në origjinën e tyre (vendas kundrejt importit). Studimet e mëparshme kanë treguar se ka një preferencë të qartë për frutat vendase, përfshirë agrumet, për të cilat ka një preferencë edhe për një territor specifik brenda Shqipërisë, që përfaqëson një potencial për investime të lidhura me marketingun.
Po ashtu, shumica e konsumatorëve shqiptarë i shohin produktet organike si më të sigurta dhe më të shëndetshme në krahasim me produktet e tjera (konvencionale) edhe pse nuk janë të njohur me certifikimin (kërkesat) organike. Tregu i ushqimit organik në Shqipëri është ende i vogël, por preferenca e konsumatorëve për ushqimin organik përfaqëson një potencial për zhvillimin e tregut.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.