Kontrabanda e arit nga Afrika – 446 ton në Emiratet e Bashkuara për vitin 2016
Një sasi gjigante e arit del kontrabandë nga Afrika çdo vit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, që shërben si “portë” për tregjet në Europë dhe SHBA.
Të dhënat doganore tregojnë se Emiratet kanë importuar 15.1 miliardë dollarë ar nga Afrika në vitin 2016, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Pesha totale shënonte 446 ton për vitin. Pjesa më e madhe e arit nuk regjistrohej në eksporte nga shtetet afrikane, çka tregon se sasi gjigante të metalit të verdhë dalin nga Afrika pa paguar taksa ndaj shteteve ku prodhohet. Raporte të mëparshme kanë dhënë një panoramë të tregut të zi të arit Afrikë, që nxirret nga njerëzit që nuk kanë lidhje me biznese dhe nuk mbikëqyren.
Një analizë e Reuters jep një vlerësim të përmasës, pavarësisht se askush nuk mund të japë një shifër të saktë të vlerës totale të arit që del nga Afrika. Reuters e vlerësoi volumin e tregtisë së jashtëligjshme duke krahasuar totalin e importeve në Emiratet e Bashkuara Arabe me eksportet e deklaruara nga shtetet afrikane. Firmat industriale të nxjerrjes thanë për Reuters se nuk dërgojnë ar në Emiratet e Bashkuara, çka tregon se importet nga Afrika vijnë nga burime informale.
Metodat informale të prodhimit të arit janë rritur në të gjithë botën. Kjo ka ofruar një jetesë për miliona afrikanë, duke i dhënë më shumë para në krahasim me tregti të tjera. Por kjo metodë ka efekte anësore në mjedis, duke nxjerrë kimikate në shkëmbinj dhe lumenj. Qeveritë në Ghana, Tanzania dhe Zambia, janë ankuar se ari po prodhohet në mënyrë të jashtëligjshme dhe kontrabandohet në vende të tjera në sasi gjigante.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.