Kontrabandë mallrash në Kakavijë – Policia arreston tre shtetas
Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë tre shtetas dhe ka sekuestruar mallra të ndryshme.
Sipas njoftimit, një prej këtyre shtetasve kishte detyrën e doganierit në Degën Doganore Kakavijë.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P. Gjirokastër organizuan dhe zhvilluan operacionin “BEFASIA”.
Sipas njoftimit nga ky operacion u arrestuan në flagrancë shtetasit M.B., 31 vjeç, banues në Devoll, Xh.M., 28 vjeç, banues në Bilisht dhe M.M., 60 vjeç, banues në Tiranë.
Policia e Shtetit tha se arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pas kontrolleve të ushtruara në mjetin që drejtohej nga shtetasi M.B. dhe pasagjer shtetasi Xh.M.,në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije, në të cilën u gjetën një sasi mallrash të konsiderueshme me pije energjike dhe qumësht, për të cilat nuk kishin paguar detyrimet doganore.
Sipas njoftimit, nga hetimet e kryera rezultoi se doganieri M.M. kundrejt një sasie parash ka lejuar që shtetasit M.B. dhe Xh.M. të kalonin mallrat në hyrjen e Republikës së Shqipërisë pa paguar detyrimet doganore.
Policia tha se mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Gjirokastër për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, ” Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ” Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.