Kontrata dhe dokumente ligjore mbi lëkurën e deleve?! – Konsiderohet prej shekujsh material anti-falsifikim
Për shekuj me radhë, në Mbretërinë e Bashkuar dokumentet ligjore – marrëveshjet dhe kontratat – janë hartuar në rrotullat e lëkurës së deleve, një material anti-falsifikim.
Nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë deri në shekullin e njëzetë, dokumentet ligjore britanike ishin shkruar kryesisht në pergamena të lëkurës së deleve: kjo është ajo që del nga një studim i botuar në Heritage Science që shpjegon se si ky lloj materiali ishte ideal për të shmangur manipulimet dhe mashtrimet. Struktura dhe përmbajtja e lartë e yndyrës në lëkurën e deleve bëri në fakt çdo përpjekje mashtruese për të modifikuar tekstin, i cili do të ishte dukshëm dhe do të zhvleftësonte dokumentin, të shkonte kot.
“Avokatët e kohës ishin shumë të shqetësuar me vërtetësinë dhe sigurinë e dokumenteve ligjore, siç dëshmohet nga përdorimi i vulave,” shpjegon Sean Paul Doherty, kreu i firmës. “Tani është e qartë se ky shqetësim gjithashtu i shtyu ata të zgjedhin lëkurën e kafshëve për t’u përdorur për të prodhuar pergamenë.”
Doherty analizoi 645 shembuj të dokumenteve ligjore, nga arkivat dhe koleksionet private, dhe zbuloi se 622 prej tyre ishin në lëkurë deleje. Arsyeja do të qëndronte në vetitë e saj kundër mashtrimit: lëkura e deleve përbëhet nga disa shtresa, midis të cilave ka sasi të mëdha yndyre.
Për të prodhuar një fletë pergamenë, lëkura ishte zhytur në gëlqere në mënyrë që të thahej yndyra, duke lënë hapësira të zbrazëta midis shtresave të ndryshme: kushdo që përpiqej të gërvishte bojën për të modifikuar tekstin e një dokumenti do të kishte shkaktuar shkëputjen e shtresave të sipërme nga ato të poshtme (të njohura si delamination), duke e bërë të dukshme përpjekjen për mashtrim dhe duke e bërë të pavlefshëm dokumentin.
Kjo është hera e parë që një studim i thelluar është kryer mbi dokumente të lashta ligjore, që normalisht konsiderohet se kanë pak interes historik. Me kalimin e viteve shumë madje u hodhën, u dogjën dhe madje u ricikluan si abazhur gjatë shekullit të 20-të.
“Tekstet ligjore kanë pak vlerë historike, pasi ato shpesh raportojnë formula të përsëritura”, shpjegon Doherty: “megjithatë, në sajë të teknikave moderne analitike si spektrometria e masës, ne mund të studiojmë informacionin kimik dhe biologjik të regjistruar në lëkurën e pergamenit”. Kështu që këto dokumente bëhen relike të rëndësishme historike jo për ato që janë shkruar mbi to, por si një arkiv molekular i zejtarisë, tregtisë dhe blegtorisë në shekuj. (Focus)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.