Kontrata të reja koncesionare – Deri në fund të 2018 edhe katër të tjera për rrugë dhe shërbime laboratorike
Kontratat koncesionare me mbështetje buxhetore do të shtohen deri në fund të vitit. Aktualisht janë 11 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore.
Pritet që deri në fund të vitit 2018 të lidhen dhe 4 kontrata të reja nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dy nga kontrata e reja që do të lidhen janë për ndërtime rrugësh, një për ndërtimin e portit të jahteve në Orikum –Dukat, dhe një kontratë është për ofrimin e shërbimeve laboratorike në spitalet publike.
Për çdo vit nga 2018 deri në vitin 2021 shteti shqiptar duhet që të paguaj 886 milionë lekë privatit për shërbimin e laboratorëve. Shumë kjo që në fund të katër viteve në total do të jetë 3.5 miliardë lekë.
Ndërsa për ndërtimin e rrugëve Thumanë –Vorë dhe Milot –Balldren që do të nisin në 2020 shteti do të paguaj në total 6.1 miliardë lekë. Ndërtimi i portit të jahteve në Orikum shqiptarëve do t’ju kushtoj në total 1.5 miliardë lekë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vlerësuar dhe miratuar paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat, si edhe çdo ndryshim të tyre, për tre vitet e ardhshme.
Sa i përket pagesave vjetore neto, për PPP si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.