Kontratat e përkohshme, Harito: Punësimet nuk kanë qëllime elektorale
Një ditë pas vendimit të qeverisë për rritjen e të punësuarve me kontrata të përkohshme, ka reaguar edhe ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.
Në një prononcim për “TV SCAN”, Milena Harito shpjegon se shtimi i numrit të punonjësve bëhet për të plotësuar kërkesat e institucioneve qendrore dhe jo për qëllime elektorale.
“Kontratat e përkohshme janë kontrata që vendosen çdo vit nga Këshilli i Ministrave për të plotësuar vende të caktuara, pra vende që nuk janë permanente në Administratën Publike. Të tilla kontrata ka në mënyrë të vazhdueshme. Ky është një vendim që herë pas here vjen në Këshillin e Ministrave, për të plotësuar vende specifike për punë specifike, në një moment te caktuar. Mund të kontrolloni vendimet e viteve të shkuara, nuk kanë asnjë lidhje me fushatën elektorale”.
Ministrja Harito shpjegoi edhe ecurinë e aplikimeve për punësimin në Administratën Publike, proces i cili u publikua pak ditë më parë nga përfaqësuesit e qeverisë.
“Janë rreth 1100 pozicione të lira, kane qenë rreth 1050 vitin e shkuar, po ashtu kanë qenë rreth 1000 vende pune në 2015. Këto janë vendet e nëpunësve civilë. Çdo vit sipas ligjit te nëpunësit civilë përgatiten dhe planifikohen në fillim të vitit dhe aprovohen nga Këshilli i Ministrave. Pas aprovimit të planifikimit vjetor fillon shpallja me grupe pozicionesh, siç ka ndodhur nga 2014 dhe më pas.”
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrisë së Financave për rritjen e numrit të të punësuarve me kontrata të përkohshme në 2270 punonjës.
Florenc Drizari/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.