Kontrolle në tregjet ushqimore – Inspektoriati i Punës, në terren për dyndjet e popullsisë dhe masat
Paralelisht me kontrollet e ushtruara në subjekte të ndryshme me shumë punonjës, si fasoneri apo call center, për zbatimin e masave ndaj frenimit të përhapjes së Coronavirusit në vendin tonë, Inspektoriati Shtetëror i Punës po përqendron kontrollet në segmente të tjera të ekonomisë, që paraqesin rrisk.
Sipas këtij institucioni, tashmë Inspektoriati në bashkëpunim me Taskforcën e ngritur nga kryeministri, po kontrollon zbatimin e masave në tregjet e shumicës dhe aktivitetet tregtare, si dhe shoqëritë që transportojnë mallrat e konsumit.
Kontrollet përqendrohen kryesisht në marrjen e masave të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që lidhen me dezinfektimin e ambienteve të punës, pajisjen me mjete mbrojtëse, si maska dhe doreza dhe dezinfektantë.
Bizneset kanë gjithashtu detyrim që të respektojnë distancën mes punëmarrësve si dhe të garantojnë kushtet higjeno-sanitare.
Inspektoriati Shtetëror i Punës bën me dije se mosrespektimi i këtyre masave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, i ngarkon punëdhënsit me përgjegjësi dhe sjell ndëshkimin e tyre, me pezullim të aktivitetit, apo me gjoba.
Deri më tani janë ndëshkuar me pezullim të përkohshëm të punës dhjetra subjekte në sektorë të ndryshëm për mos respektimin e rregullave.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.