Kontrolle për sigurinë ushqimore – Gjeçi: Në fokus, produktet e gatshme dhe inputet
Ministria e Bujqësisë do të ushtrojë kontrolle të shtuara gjatë sezonit veror tek subjektet që forcojnë produkte të gatshme por edhe tek inputet bujqësore, për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve. Zv.Ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi, bën me dije se është trefishuar sasia e produkteve të bllokuara apo të asgjësuara.
“Është rritur numri i kontrolleve dhe inspektimeve gjatë sezonit të verës dhe kjo për dy arsye madhore. E para është rritja e numrit të popullatës në zonat turistike dhe e dyta është për hir të temperaturave të larta, të cilat shoqërojnë sezonin. Nuk është e rëndësishme vetëm kontrolli dhe analizimi i produkteve të gatshëm, por edhe ajo e inputeve bujqësore. Inputet bujqësore kanë një rol tepër të rëndësishëm në produktin e gatshëm, në frutat dhe perimet. Tetor 2017-Qershor 2018 me periudhën e vitit paraardhës, bllokimi dhe asgjësimi i produkteve është në masë të rritur rreth trefish, 25.3% ka qenë në periudhën paraardhëse dhe ka vajtur në 75.4%”, u shpreh Gjeçi.
Sipas të dhënave zyrtare të bujqësisë, është trefishuar edhe numri i gjobave të vendosura ndaj subjekteve gjatë periudhës tetor 2017-qershor 2018, ndërsa vlera e tyre është regjistruar në 6.8 milion lekë. Po ashtu janë bllokuar dhe asgjësuar 50 ton më shumë produkte se 9 mujori i një viti më parë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.