Kontrolli bazë mjekësor – Koncesionari investon 944 mln lekë për pajisje laboratorike
Janë investuar rreth 944 milionë lekë në pajisje laboratorike, pajisje mjekësore, programe software, automjete, e deri tek hapja e 380 kabineteve të kontrollit mjekësor bazë në çdo qendër shëndetësore, nga koncesionari i kontrollit bazë.
Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu. Sipas Manastirliut 1.2 milionë shqiptarë marrin shërbimin e kontrollit bazë ku më parë minimalisht kushtonte 5 mijë lekë.
“Nëpërmjet programit të kontrollit mjekësor bazë, ne sot i shërbejmë 1,2 milion shqiptarëve. Janë investuar nga partneriteti 944 milion lekë, që nga investimet në pajisje laboratorike, pajisje mjekësore, programe software, automjete, e deri tek hapja e 380 kabineteve të kontrollit mjekësor bazë në çdo qendër shëndetësore. Kemi siguruar madje, edhe kabinetet e lëvizshme për zonat e thella të vendit”.
Kontrolli bazë ka bërë që të zbulohen shumë raste të reja me sëmundje kronike. Sipas Klodiana Spahiut kjo do të thotë që do të kemi trefishim të kostove financiare për rimbursimet.
Kontrolli Mjekësor bazë ka mbërritur në shifrën 68%, por ende nuk është arritur shifra për të cilën është bërë marrëveshja me koncesionarin për kryerjen e 475 mijë kontrollesh mjekësore në vit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.