Kontrolli i Lartë i Shtetit – Ruçi-Weber: Ligji i ri, më shumë garanci për zbatimin e standardeve
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti ish-anëtarin e Gjykatës Europiane të Auditit dhe ish Drejtor i Përgjithshëm i Gjykatës Austriake të Auditimit, Hurbert Weber. Gjatë këtij takimi dy krerët diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të kontrollit të lartë të shtetit në Shqipëri. Sipas Rucit, Ligji i ri për Kontrollin e Lartë të Shtetit, miratuar në vitin 2014, ofron më shumë garanci për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, si edhe për bashkëpunimin efektiv me Kuvendin.
Kreu i kuvendit deklaroi se institucioni që ai drejton po jep të gjithë mbështetjen e vet që Kontrolli i Lartë i Shtetit të bëhet gardian i ligjshmërisë, ndershmërisë dhe eficiencës së qeverisjes. Nga ana e tij Weber, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe e informoi atë mbi bashkëpunimin e ngushtë me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë.
Ai vlerësoi bashkëpunimin midis Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e konsideruar këtë bashkëpunim mjaft të dobishëm për plotësimin e misionit të KLSh-së.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.