Kopenhagen mendon zgjidhjen për trafikun e rënduar të biçikletave
Numri i biçikletave në Kopenhagen kaloi vitin e kaluar për herë të parë numrin e makinave, me 265,700 biçikleta në ditë përkundrejt 252,600 makinave.
Por tani, qyteti me rreth 763 mijë banorë, po përballet me një tjetër formë trafiku që ka të bëjë me përqendrimin e lartë të biçikletave, çka i detyron çiklistët të luftojnë për hapësirë e rrit shanset për aksidente të mundshme.
Rrugët janë aq të mbushura me biçikleta, saqë duket më shumë si Tour de France se sa si një ditë e zakonshme në kryeqytetin e Danimarkës.
Qyteti ka vendosur të marrë masa dhe bashkia ka ndërmarrë një strategji unike. Pesë ekrane do të instalohen fillimisht në pikat strategike të rrjetit 390 km të korsive të biçikletave. Në to do të pasqyrohen informacione për çiklistët, duke u dhënë mundësinë të zgjedhin rrugën më pak të populluar përmes qytetit.
Ndër masat e tjera që do të ndërmerren përfshihet edhe zgjerimi i korsive ekzistuese, përmirësimi i sinjalistikës në kryqëzime dhe ndërtimi i më shumë urave vetëm për biçikleta, nga 17 që janë të instaluara tashmë.
Qyteti ka prezantuar edhe një aplikacion ku tregohen rrugët e gjelbra, të cilat janë rrugë me trafik katër herë më të ulët se normalja. Këto rrugë zgjidhen kryesisht nga çiklistët më të vjetër, familjet me fëmijë dhe njerëzit që nuk e kanë me nxitim.
Banorët e Kopenhagenit pedaluan mesatarisht 1 milion e 400 mijë kilometra në ditë për vitin 2016. Paçka përpjekjeve dhe mbi 1 miliard kronave daneze (134 milionë euro) të shpenzuara, trafiku i biçikletave është rritur me 68% në 20 vitet e fundit. Deri në vitin 2025 trafiku pritet të rëndohet me 25% në ditë dhe me 36% gjatë orëve të pikut.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.