Kopshtet dhe çerdhet – Veliaj: Vitin që vjen do fokusohemi te zonat rurale
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e kopshtit nr. 18, i cili do të jetë gati në fillim të muajit tetor. Përveç rindërtimit të plotë, godinës do i shtohen edhe ambiente të reja, ndërkohë që sipas kryebashkiakut kopshti përveçse do të ofrojë kushte më të mira për fëmijët, do të ulë në të njëjtën kohë edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.
“Po përpiqemi të kapim çdo ditë, që viti i ri shkollor të na gjejë gati me kopshtet, çerdhet e shkollat e Tiranës. Kësaj here jam disa fish më i lumtur sepse kopshti i fundit në “buqetën” e kopshteve që kemi rregulluar në Tiranë qëllon që është kopshti im dhe siç thotë ajo shprehja: “Këpucari këpucët e veta i rregullon në fund”, edhe kopshti im në fakt po rregullohet i fundit, megjithatë është lajm i mirë jo vetëm për mua, por edhe për prindërit që fëmijët e tyre janë të detyruar t’i çojnë në kopshtet 40 ose 41″.
Sipas kryebashkiakut, përveç rikonstruksionit të godinave dhe ambienteve ekzistuese po punohet edhe për hapjen e disa çerdheve dhe kopshteve të reja në ato zona, ku edhe ka nevojë më të madhe dhe ku këto institucione mungojnë. Gjithashtu, ai bëri me dije se vitin e ardhshëm do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe çerdheve dhe kopshteve në zonat rurale.
“Kemi planifikuar që vitin tjetër fokusin ta kemi në kopshtet e çerdhet e zonave rurale. Kemi shumë kërkesa në Ndroq, në Pezë, në Vaqarr. Do të duhet të ofrojmë shërbime edhe atje, përndryshe do të rriskojmë që të përsërisim historinë e shkollave ku të gjithë transferohen në Tiranë nga zonat rurale, sepse preferojnë shërbimin e Tiranës. Nëse do të ofrojmë të njëjtin shërbim kudo, atëherë do ulet edhe ky presion për shërbime, edhe në trafik, por edhe në kosto financiare të gjithë atyre që duhet të lëvizin përditë, për të marrë shërbimet në Tiranë”.
Sipas Veliajt, rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve publike në kryeqytet ka rritur ndjeshëm edhe kërkesën e qytetarëve për t’i çuar fëmijët e tyre në to.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.