Korçë, arrestohet në flagrancë shtetasi, sekuestrohen 40.000 euro të pajustifikuara
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë shtetasi me iniciale D.Ç., 54 vjeç, banues në fshatin Dishnicë, Korçë.
Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe nga kontrolli që shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë ushtruan në lokalin dhe më pas në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me mulli, me 6 fishekë luftarakë pa leje, si edhe rreth 40 000 Euro, sasi monetare kjo e pajustifikuar nga 54-vjeçari.
Shtetas D.Ç., dyshohet të ketë konsumuar elementë të veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.