Korçës “i digjen” drutë – Shpallet tenderi për mënyrat alternative të ngrohjes
Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka shpallur një tender me fond 33.3 milionë lekë, për qytetin e Korçës. Objekti i tenderit është “Hartimi i projektit të detajuar të sistemit të ngrohjes së Korçës duke përjashtuar lëndën drusore”.
Studimi, referuar të dhënave të detajuara të projektit, ka në fokus të gjejë mundësi të reja për ngrohjen e ndërtesave ekzistuese, publike apo private, gjatë periudhës së dimrit.
“Qëllimi është zvogëlimi i emetimit të CO2, si dhe ulja e kostove për ngrohje. Pesha e konsumit fundor të energjisë që konsumohet nga sektori i banesave është i konsiderueshëm dhe marrja e masave për të diversifikuar furnizimin me energji, si dhe uljen e emetimeve te CO2 është e një rëndësie të veçantë” shkruhet më tej në dokumentacionin bashkangjitur tenderit.
Objektivat e projektit janë si më poshtë:
- rritja e përdorimit të energjive të rinovueshme alternative
- ulja e konsumit të energjisë
- ulja e emetimit të CO2
- ulja e kostove për ngrohjen e banesave
Studimi ka një afat kohor për manifestim prej 7 muajsh, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.