Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut bien dakord “në parim” për përfundimin zyrtar të luftës!
Koreja e Jugut dhe e Veriut, Kina dhe SHBA kanë rënë dakord “në parim” për të shpallur një fund zyrtar të luftës koreane, pothuajse 70 vjet pasi konflikti përfundoi në një armëpushim të lëkundshëm, tha presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in. Por Moon pranoi se bisedimet për luftën e viteve 1950-1953 po frenoheshin nga kundërshtimet e Koresë së Veriut ndaj “armiqësisë së sotme të SHBA”.
Moon tha se besonte se katër partitë kryesore ranë dakord në parim për një deklaratë paqeje. Por ai shtoi se Koreja e Veriut e kishte bërë fundin e armiqësisë së SHBA-së si parakusht për bisedime. Moon tha se ai besonte se ishte e rëndësishme t’i jepej fund armëpushimit “të paqëndrueshëm” që kishte qenë në fuqi për gati shtatë dekada, duke shtuar se një deklaratë paqeje mund të përmirësonte perspektivat për një përparim në programin e armëve bërthamore të Phenianit.
Lufta koreane përfundoi në korrik 1953 me një armëpushim, por jo një traktat paqeje, që do të thotë se Veriu dhe Jugu janë ende teknikisht në luftë. Moon, i cili e ka bërë angazhimin me Korenë e Veriut një tipar kyç të administratës së tij, po bën presion për një traktat paqeje përpara se mandati i tij i vetëm pesë-vjeçar si president i Koresë së Jugut të përfundojë pranverën e ardhshme.
Ai përsëriti thirrjen e tij për një fund formal të armiqësive gjatë fjalimit të tij në asamblenë e përgjithshme të OKB-së në shtator, duke bërë që Kim Yo-jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ta përshkruajë nismën e tij si një “ide interesante dhe të mirë. “.
Zyrtarët kinezë thuhet se kanë shprehur mbështetje për propozimin, ndërsa Koreja e Jugut dhe SHBA thuhet se janë në fazat përfundimtare të hartimit të një projekt-deklarate. Por Koreja e Veriut ka treguar se nuk do t’i bashkohet bisedimeve për përfundimin e konfliktit, ndërkohë që SHBA-ja mban qëndrimin e saj armiqësor, duke iu referuar pranisë së 28,500 trupave amerikane në Korenë e Jugut dhe stërvitjeve vjetore ushtarake SHBA-Kore e Jugut që Pheniani i konsideron si një provë për një pushtim.
Opinioni në Korenë e Jugut dhe SHBA është i ndarë në lidhje me mençurinë e nënshkrimit të një traktati zyrtar paqeje, ndërkohë që Koreja e Veriut vazhdon të zhvillojë armë bërthamore dhe raketa balistike në kundërshtim me sanksionet e OKB-së. Mbështetësit pajtohen me Moon se do të normalizonte lidhjet me Veriun dhe do të inkurajonte regjimin që të kthehej në bisedimet e bllokuara bërthamore, por kritikët besojnë se kjo do të shpërblente sjelljen provokuese të regjimit dhe mund të kërcënonte praninë e trupave amerikane në Jug. TheGuardian
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.