Koreja trazon tregjet – Aksionet bien me lëshimin e raketës së re, investitorët “lodhen”
Tregjet kanë patur luhatje në sesionin e fundit tregtar të kësaj jave, ndërkohë që Koreja e Veriut lëshoi një raketë tjetër që kaloi mbi Japoninë, duke treguar sjellje provokuese kundër sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.
Koreja lëshoi një predhë që fluturoi sipër ishullit Hokkaido të Japonisë drejt oqeanit Paqësor, duke bërë një distancë prej 3,700 km. Lëvizja ndodhi disa ditë pasi Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara miratoi sanksione të reja kudër Pyonyangut, për testimin bërthamor në datën 3 Shtator.
Investitorët u kthyen në mbrojtje, duke blerë aktive të mbrojtura nga risku si jeni japonez, franga zvicerane dhe ari. Megjithatë, situata në tregje ishte e shkurtër, me të tre aktivet që u tërhoqën më vonë gjatë sesionit.
Analistët thonë se ka patur raportime që Koreja e Veriut po përgatiste lëshimin e një rakete, prandaj edhe investitorët nuk u suprizuan. Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara do të takohej ditën sotme me kërkesën e Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, disa ditë pasi u vendosën sanksionet e reja.
Këto sanksione synojnë ndalimin e eksporteve të tekstilit nga Koreja e Veriut dhe limitin e importeve të naftës.
“Komuniteti Ndërkombëtar duhet të bashkohet dhe të japë një mesazh të qartë ndaj Koresë së Veriut, se po kërcënon paqen botërore me këto veprime”, tha Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe duke e përshkruar testimin e ri si të papranueshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.