“Koronavirusi, super-ngjitës!” – Paralajmëron Korea e Jugut pasi regjistroi vdekjen e parë
Rastet e reja të koronavirusit dhe vdekja e parë në Korenë e Jugut, shtuan shqetësimet mbi përhapjen botërore të patogjenit, ndërkohë që hulumtuesit sugjeruan se virusi është më ngjitës se sa mendohej. Kina raportoi një rënie të madhe të rasteve të reja të të infektuarve, por të dhënat erdhën pjesërisht prej ndryshimit të mënyrës së diagnostikimit. Koronavirusi u shfaq në qytetin e Vihanit në fundin e 2019-s dhe ka infektuar 75,500 persona deri më tani dhe vrarë mbi 2,100.
Korea e Jugut konfirmoi vdekjen e parë nga virusi, pak orë pasi kryebashkiaku i qytetit të 4 më të madh të vendit i bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, pas rritjes së madhe të infeksioneve. Kwon Young-jin, kryebashkiaku i Daegu, një qytet prej 2.5 milionë banorësh, i kërkoi njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi, ndërkohë që Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve në vend paralajmëroi për një “event super-infektues”.
Korea e Jugut ka tashmë 104 raste të konfirmuara të virusit. Kina bëri thirrje për solidaritet ndaj vendeve JugLindore të Azisë në një takim në Laos. Japonia raportoi vdekjen e 2 pasagjerëve të moshuar nga anija turistike e ankoruar në Tokjo, që mban mbi 620 të infektuar. Dy persona të tjerë kanë vdekur nga sëmundja në Iran, sipas zyrtarëve atje, duke e çuar totalin e vdekjeve jashtë Kinës në 11. Provinca e Hubeit raportoi një rënie të numrit të infeksioneve, pasi ndaloi diagnostikimin e njerëzve me rreze-X në kraharor dhe numëroi vetëm ata që janë testuar pozitiv për gjurmë genetike të koronavirusit. Hubei raportoi 349 infeksione të reja ditën e Mërkurë, nga 1,693 një ditë më parë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.