Korpusi i ri i Policisë së Shtetit – Hapet tenderi për studim-projektimin, ja ku do të ndërtohet
Policia e Shtetit së shpejti do të ketë një korpus të ri. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hapur procedurat e tenderimit për projektimin e ndërtimit të selisë së re të saj, si dhe rikonstruksionin e objekteve të Akademisë së Sigurisë. Referuar dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i vënë në dispozicion për këtë investim kap vlerën e mbi 36.4 milionë lekë.
Aktualisht, Policia e Shtetit ushtron aktivitetin në zyrat e ish-hotel Arbanës, objekt i cili u përzgjodh si seli e DPPSH-së në vitin 2003. Megjithatë, hapësirat ekzistuese të ambienteve, referuar raportit nuk përballojë nevojat për ofrimin e një shërbimi cilësor. Godina qendrore e DPPSH-së, duhet të jetë ndërtim i ri, ku duhet ku vendodhja e godinës duhet të jetë në një pozicion qendror, e lidhur në mënyrë harmonike me objektet e tjera, si Drejtoritë, Njësitë e veçanta dhe Akademinë e Sigurisë.
Në këtë kuadër, është parë si domosdoshmëri ndërtimi i saj pranë ish-Batalionit të Policisë Ushtarake. Pozicioni i saj ngjitur me Akademinë e Sigurisë mundëson krijimin e një kompleksi shërbimesh për akomodimin dhe funksionimin e DPPSH dhe strukturave në varësi të saj.
Projektuesi duhet të marrë në konsideratë po ashtu edhe nevojat për parkim të brendshëm nëntokësor, parkimet e jashtme si dhe sistemimet e territorit përreth. Ndërkohë, Akademia e Sigurisë po ashtu kërkon të realizojë projektimin për rehabilitimin e godinave të saj si dhe ndërtim godinash të reja.
Janë një sërë ndërhyrjesh që janë propozuar të kryhen në këtë godinë, që përfshijnë rehabilitimin e godinave, si dhe ndërtimin e godinave të reja, konkretisht kërkohen: dy godina të reja fjetore për studentët, godinë për sporte ujore dhe ushtrime force si dhe shtesë godine mësimore për zjarrfikëse.
Po ashtu, parashikohet edhe vendosja e elementëve të tjerë si sistemi i ndriçimit, rrjeti i ujësjellës kanalizimeve, instalimi I rrjetit elektrik, pajisja e godinave me dyer e dritare, si dhe element të tjerë të sigurisë.
Të interesuarit mund të dorëzojnë kërkesat e tyre për pjesëmarrje deri në datën 19 nëntor 2018, ndërsa periudha e vlefshmërisë së ofertave të tyre parashikon një afat kohor prej 150 ditë nga nënshkrimi i kontratës.
Më herët, në shtator të këtij viti, qeveria miratoi edhe fondin për studim-projektimin e korpusit të ri, një fond i cili iu pakësuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për t’iu shtuar Ministrisë së Brendshme.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.