Korrupsioni, gjeneratori i palumturisë – Gallup: Lumturia e shqiptarëve rritet lehtë
Pavarësisht se ka fituar 5 pozicione në Raportin Global të Lumturisë 2019, i cili publikohet çdo vit nga Gallup, vendi ynë vijon të mbetet më i palumturi në rajon si dhe një prej dy vendeve më të palumtura në Europë. Më keq se ne duket të jetë vetëm Ukraina, një vend që ka kaluar dhe po kalon një krizë të thellë, rrjedhojë e konfliktit ushtarak me Rusisë që zgjat prej vitesh tanimë. Kështu, në indeksin e këtij viti, Shqipëria renditet e 107-ta në botë, ndër 156 vende, ndërkohë që një vit më parë renditej e 112-ta në botë. Siç duket qartë, Shqipëria është tërësisht e veçuar nga vendet europiane dhe vendet e zhvilluara.
Të dhënat tregojnë se, gjithsesi, Shqipëria duket të jetë një vend më i lumtur se një vit më parë, pasi ka pësuar një rritje të pikëzimit të përgjithshëm.
Kosova ndërkohë figuron ndër vendet më të lumtura në botë si dhe ndër vendet me përmirësimin më të lartë, nga vend i 66-të në të 46-tin në botë. Duke parë nën-indikatorët ajo që vihet re qartë është se është pikërisht korrupsioni ajo që i bën shqiptarët të palumtur. Ky nën-indikator na rendit në vendin e 134-tët në botë ndër 156 shtete, pra thuajse në fund të tabelës. Bujaria dhe jetëgjatësia janë dy prej aspekteve që i bëjnë shqiptarët të jenë të lumtur. Bujaria duket të jetë një aspekt mjaft i rëndësishëm i të qënit të lumtur. Raporti thotë se 18.5% e shqiptarëve të anketuar kanë dhënë para për bamirësi në muajin e fundit, ndërkohë që mesatarja globale fiksohet në 29%. Në nivel global, Finlanda vijon të jetë vendi më i lumtur në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.