Kosova bëhet pjesë e Organizatës Botërore të Doganave – Mustafa: Arritja më e madhe pas BB dhe FMN
Republika e Kosovës është anëtarësuar sot zyrtarisht në Konventën themeluese të Këshillit për Bashkëpunim Doganor. Me aderimin në këtë Konventë, tashmë Kosova është anëtarësuar zyrtarisht edhe në Organizatën Botërore të Doganave.
Në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha, kryeministri Mustafa tha se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën. Mustafa e quajti anëtarësimin të barazvlefshëm me atë në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ka rëndësi për zhvillimin e gjithanshëm të vendit, avancimin e Kosovës në aspektet ekonomike dhe tregtare me të gjitha vendet e botës anëtare të kësaj Konvente, si dhe me shumë aspekte që lidhen më shtetësinë dhe progresin e Kosovës”, tha Mustafa.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e vlerësoi këtë anëtarësim si shume të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe falënderoi shtetet të cilat e mbështetën Kosovë për t’u bërë pjesë e OBD.
“Një falënderim i veçantë për shtetet mike, qeverinë belge dhe ministrin e Jashtëm të Belgjikës, Didier Reynders për përkrahjen për tu bërë pjesë e kësaj organizate pas disa vitesh lobimi intensiv”, u shpreh Hoxhaj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.