Kosova blen shqip – Shitjet e qumështit të freskët vendas rriten me 200%
Fushata për konsumimin e produkteve vendase në Kosovë ka filluar të japë frytet e para. Qytetarët duket se kanë filluar të ndryshojnë zakonet e tyre në blerje, duke zëvendësuar produktet serbe me ato të tregut të brendshëm.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, shitjet e qumështit të freskët të vendit janë rritur me 200 për qind. Tashmë shitjet për këtë produkt arrijnë në 13 mijë e 500 litra në ditë, nga 4 mijë litra në ditë para disa muajve.
“Ky trend i rritjes së konsumimit të qumështit të freskët është një lajm tejet i mirë për industrinë e qumështit dhe pikërisht një tregues se përmes kësaj politike mund të arrijmë të zëvendësojmë importin, por njëkohësisht t’i ofrojmë konsumatorit edhe një produkt vendas cilësor”, u shpreh Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi.
Shifra nga kjo ministri tregojnë se investimi në sektorin e qumështit për këtë vit ka qenë 10 milionë euro, përmes granteve dhe subvencioneve.
Importet nga Serbia arrijnë në vlerat e 390 milionë eurove në vit dhe shumica e tyre janë produkte të cilat mund të zëvendësohen fare mirë me ato kosovare. Në këto produkte përfshihen: uji i pijshëm, vaji për gatim, biskotat, çokollatat, etj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.