Kosova heq pjesërisht tarifën 100% për mallrat serbe dhe boshnjake
Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti ka njoftuar se qeveria e tij ka hequr pjesërisht tarifën e diskutueshme 100% për mallrat serbe dhe boshnjake, si një gjest i vullnetit të mirë pas presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Albin Kurti njoftoi në mediat sociale se tarifa në fjalë është hequr për lëndët e para nga Serbia.
“U votua me 10 vota për dhe 2 abstenime Vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, 1, 31, 3, 4, 5 dhe 6, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100% ”, shkruan Kurti.
Kosova fillimisht ishte zotuar të heqë pjesërisht tarifën deri më 15 Mars. Tarifa u vendos në një përpjekje për të bërë presion ndaj Serbisë për të ndaluar bllokimin e njohjes së Kosovës dhe parandalimin e hyrjes së saj në organizatat ndërkombëtare.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.