Kosova nderon Ismail Kadarenë, emeton një pullë postare dedikuar shkrimtarit
Kosova nderon figurën e Ismail Kadaresë, duke emetuar një pullë postare dedikuar shkrimtarit.
“Posta e Kosovës ndihet krenare sepse fondi i pullave postare është pasuruar edhe me imazhin dhe emrin e shkrimtarit tonë të madh. Duke marrë parasysh se një prej qëllimeve kryesore të Filatelisë së Postës së Kosovës është promovimi i vlerave kombëtare, ne ndihemi të nderuar që përmes kësaj pulle postare shprehim respekt dhe mirënjohje për kontributin dhe angazhimin e Kadaresë për çështjen e Kosovës”, thotë Posta e Kosovës.
Shkrimtari e ka përqendruar një pjesë të madhe të veprave të tij letrare tek problemet e Kosovës dhe Ballkanit. Ai ka mbështetur të gjithë popullin e Kosovës nga periudha e okupimit e deri në arritjen e lirisë e pavarësisë.
Këto konflikte, sipas Kadaresë, janë turpi dhe fatkeqësia e përbashkët e Ballkanit dhe shpreson se një ditë urrejtja do të zhduket nga ky rajon. Më herët Posta e Kosovës i ka dedikuar një pullë postare edhe “Nënë Terezës”, me rastin e shenjtërimit dhe synon të nderojë në të ardhmen me këtë mënyrë edhe figura të tjera të shquara të popullit shqiptar.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.