Kosova shënon numër rekord të të infektuarve me koronavirus – 214 raste të reja dhe 4 viktima në 24 orët e fundit
Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 214 persona, duke shënuar kështu shifrën rekord që nga dalja e rasteve të para me koronavirus në vend më 13 mars, duke e sjellë në 4100 numrin e të infektuarve deri më tani.
Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në Komunën e Prishtinës. Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 413 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt e këtij viti deri më tani janë testuar gjithsej 26.425 mostra.
Numri i të shëruarve nga koronavirusi ka arritur në 60 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre në nivel vendi ka shkuar në 2.063.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës sot në mbrëmje miratoi masa të reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit pas kërkesës drejtuar qeverisë nga kryetarët e këtyre komunave me shumicë serbe.
Vendimi i miratuar sot nga kabineti qeveritar ndalon hyrje-daljet 24 orë për personat e infektuar, ata të kontaktit dhe personat e dyshuar në këto katër komuna, në afat prej 14 ditësh, përveç rasteve urgjente.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.