Kosovë, hyn në fuqi vendimi – Vetëm të vaksinuarit me dy doza lejohet të futen në vend
Duke filluar nga 3 janari, të gjithë personat që do të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë me dy doza kundër COVID-19. Një vendim të tillë e mori Qeveria e Kosovës më datën 1 dhjetor 2021. “Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë (me dy doza) kundër COVID-19”, thuhej në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Në vendim gjithashtu thuhet se shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet e vendosura në pikat kufitare.
Ndërkohë, personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre orësh duhet të nënshkruajnë deklaratën se do të largohen nga vendi brenda tre orëve. Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Restorantet lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.