Kosovë/Numri i të shëruarve dyfish më i madh se rastet e konfirmuara -Albin Kurti njofton përmirësimin e situatës nga Covid-19!
Nëpërmjet një njoftimi në faqen e tij zyrtare, Kurti ka njoftuar se përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%.
“Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%. Dje, për herë të parë që nga ardhja e Koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme,” ka shkruar Kurti në njoftim.
Kurti i bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm pasi dëmtimet që ky virus mund të sjellë mund të jenë serioze duke u nisur dhe nga një problem që kryeministri ka pasur me mushkëritë e tij.
“Si Kryeministër, por edhe si qytetar, unë e marr Coronavirusin me shumë seriozitet. Nuk kemi të bëjmë me një grip të thjeshtë siç thonë disa. Le të vazhdojmë të tregojmë kujdes të shtuar ndaj pastërtisë dhe distancës në mënyrë që sakrificat tona të deritanishme të kenë kuptim dhe që pandemia të mos shpërthejë përsëri duke na kthyer në pikën zero,” është shprehur Kurti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.