Kosovë – Shqipëri, diskutime për eliminimin e barrierave tregtare mes dy vendeve
Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë diskutuan sot për eliminimin e barrierave tregtare.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi dhe ministrja e Tregtisë e Industrisë së Kosovës Hykmete Bajrami pritën sot zëvendësministren e Financave të Republikës së Shqipërisë, Irena Beqiraj.
Zëvendësministri Krasniqi, gjatë takimin me homologen e tij Beqiraj kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë, si dhe u rikonfirmua edhe një herë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve rreth procedurave në dogana dhe në administratat tatimore.
“Diskutuam për mundësinë e identifikimit të pengesave apo vonesave në këto proceduara, në mënyrë që ne t’i shtyjmë dy institucionet tona, doganën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, si dhe administratat tatimore të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë, në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit që kemi si institucione dhe si qeveri”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për problemet që janë shfaqur ose mund të shfaqën në fushën e biznesit, në mënyrë që tregtarët ta kenë më të lehtë eksportin dhe importin. Sipas zëvendësministrit Krasniqi, qëllimi i takimit ishte për të vazhduar bashkëpunimin dhe se si dy vendet mund të angazhohen në krijimin e lehtësive për shkëmbimin tregtar.
Ndërsa, zëvendësministrja e Financave e Shqipërisë, Irena Beqiraj u zotua për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën: “Qeveria shqiptare zotohet se do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën. Ne kemi çmime reference jo vetëm me Kosovën por për të gjitha vendet”, u shpreh Beqiraj.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami theksoi se është e vërtetë se Kosova si anëtare e CEFTA-s ka disa probleme dhe barriera tregtare me disa vende, sidomos me vendet fqinje.
“Ajo çfarë është përparësi me autoritet shqiptare kemi bashkëpunim shumë të ngushtë, kemi qasje në nivele më të larta institucionale dhe ka një vullnet politik për t’i zgjidhur këto probleme. Ne sot, biseduam për çmimet referente. Të dy drejtorët e Doganave, të institucioneve respektive, të cilët sot ishin prezent do të ulen dhe brenda 1 jave do të dakordësohen për eliminimin e çmimeve referente të të gjitha produkteve“, shtoi ministrja Bajrami.
Ndërsa, zëvendësministrja e Financave të Republikës së Shqipërisë Irena Beqiraj foli për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të të dy vendeve.
“Unë mendoj se midis tatimeve dhe doganave të Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat janë agjenci në varësi të Ministrive të Financave, ka pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe mund të themi që në bashkëpunimin e të dy qeverive Ministritë e Financave kanë qenë pararojë. Kemi rëndë dakord që dy organizatat tona të tatimeve dhe doganave, në çdo vendimmarrje dhe në çdo proces që lidhet me tregtinë ndërmjet dy vendeve të dakordësojnë paraprakisht. Vullneti politikë nga të të dyjave palëve është. Qeveria shqiptare zotohet dhe është zotuar gjithmonë që tregtia me Kosovën është një nga prioritetet tona, ndërkohë në të njëjtën kohë produktet nga Kosova janë të mirëpritura në Shqipëri” shtoi zëvendësministrja Beqiraj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.