Kosto e luftës tregtare në bursa – Kërcënimet e Trump sollën humbjen e $1.2 trln te aksionet e SHBA
Kërcënimet tregtare të Presidentit Donald Trump, kanë shkaktuar një humbje në vlerë tregu prej më shumë se 1 trilionë dollarë. Banka amerikane JPMorgan vlerësoi se lajmet e lidhura me tregtinë kanë sjellë një rënie të titujve të kapitalit me 4.5%. Duke marrë parasysh kapitalizimin e tregut, kjo përkthehet në një humbje prej 1.25 trilionë dollarë për kompanitë amerikane, që sipas JPMorgan, është se 2/3 e vlerës së stimujve fiskalë.
Trump ka përdorur prej muajsh kërcënimet me tarifa, në përpjekje për të ndryshuar marrëveshjet tregtare që administrata e tij i sheh si të padrejta. Tregtia vazhdon të jetë tema kryesore mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve kryesorë si dhe investitorëve në Wall Street. Indeksi Doë Jones ra me më shumë se 200 pikë javën e kaluar, kur presidenti lajmëroi se do të përfshijë Kanadanë, Meksikën dhe Bashkimin Europian te tarifat mbi çelikun dhe aluminin.
Që prej atëherë, vendet janë kundërpërgjigjur, duke lajmëruar tarifa të tyre kundër eksporteve amerikane si mishin e derrit dhe motoçikletat. Sipas JPMorga, Trump, që është mburrur prej kohësh për fuqizimin e tregut të aksioneve gjatë detyrës së tij, mund të vazhdojë të nxisë titujt e kapitalit nëse ndalon kërcënimet tregtare.
Megjithatë, lufta e Trump për një tregti më të balancuar mund të nxisë ekonominë amerikane. Deficiti tregtar ka nisur rënien, duke prekur nivelin më të ulët në 7 muaj gjatë Prillit. Departamenti i tregtisë raportoi se deficiti ra me 2.1% në 46 miliardë dollarë, që është niveli më i ulët që prej Shtatorit. Nëse tendenca vazhdon, tregtia mund të kontribuojë në rritjen e produktit të brendshëm bruto në tremujorin e dytë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.