Kosto e uraganit “Harvey” – Projektohet në rreth 20 miliardë dollarë, bien aksionet e siguruesve
Ndërkohë që uragani Harvey po bënë kërdinë në Teksas, ndikimi i plotë ekonomik është ende i paqartë.
Vlerat në treg e kompanive të sigurimit pësuan rënie në sesionin tregtar të ditës së Hënë në SHBA, ndërkohë që analistët në Wall Street vlerësuan një humbje prej rreth 20 miliardë dollarë për siguruesit.
Projeksionet e JPMorgan, tregojnë për një humbje prej 10-20 miliardë dollarë për industrinë, duke e kthyer në një nga 10 katastrofat më të kushtueshme që godasin Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, analistët thonë se kjo mund të nxisë siguruesit që të rrisin normat, pas një periudhe të gjatë të primeve të ulëta. Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet nuk përfshihen në policat standarde për shtëpitë, por mbulohen nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, dëmet që përmbytjet shkaktojnë ndaj bizneseve do të përkthehen në humbje të mëdha për siguruesit. JPMorgan dhe analistë të tjerë, projektojnë tashmë një shifër shumë poshtë 75 miliardë dollarëve të shkaktuar nga uragani Katrina në vitin 2005, megjithatë kosto pritet të rritet.
Sipas kompanisë zvicerane, Swiss Re, humbja totale ekonomike nga katastrofat ishte 44 miliardë dollarë në gjysmën e parë 2017, në rënie me rreth 60% nga 6 muajt e parë të 2016-ës.
Humbjet më të mëdha erdhën nga stuhitë, dhe më shumë se gjysma e 44 miliardë dollarëve ishte e siguruar.
Sipas JPMorgan, kompanitë e sigurimit pritet të mbulojnë një pjesë të vogël të humbjeve ekonomike kësaj radhe, në rreth 27%, krahasuar me 47% të paguar për uraganin Katrina.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.