Kostot e krimit për biznesin – BB: Në Shqipëri, siguria dhe vjedhjet i kushtojnë bizneseve thuajse 7% të shitjeve
Kriminaliteti është një prej pengesave kryesore të të bërit biznes në vendin tonë. Në anketën më të fundit të Bankës Botërore për sipërmarrjet në Shqipëri, e cila kryhet çdo 6 vjet, rezulton se kriminaliteti ka kosto të konsiderueshme për biznesin që operon në vend.
Vetëm kostot e vjedhjeve fiksohen në 4.5% të shitjeve të atij biznesi. Kjo normë është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Europës dhe Azisë qendrore, që fiksohet në 3.1%. Kostot e sigurisë ndërkohë, pra kapitali që vetë bizneset kanalizojnë për t`u mbrojtur, sidomos ndaj fenomenit të vjedhjes, fiksohen mesatarisht në 2.3% të shitjeve, diçka më shumë se mesatarja e Europës dhe Azisë qendrore, ku kjo normë fiksohet në 2.1%. pra në total, kostot e vjedhjeve dhe ato të sigurisë për bizneset në vendin tonë, fiksohen mesatarisht në rreth 7% të shitjeve.
Kjo kosto është jo e papërfillshme për bizneset. “Firmat mund të jenë objekt i vjedhjeve, grabitjeve, vandalizmit, etj. Mbrojtja ndaj krimeve të tilla ka kosto pasi janë të detyruara të kanalizojnë një pjesë të burimeve të tyre nga prodhimi, drejt sigurisë.
Për më tepër, si investitorët e huaj, ashtu edhe ata vendas e perceptojnë krimin si një indikator të paqëndrueshmërisë sociale, dhe krimi rrit kështu kostot e të bërit biznes”-thotë Banka Botërore në anketën e sipërmarrjeve për vendin tonë. Por, pavarësisht kësaj, kriminaliteti nuk renditet ndër 10 pengesat kryesore të të bërit biznes në Shqipëri.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.